UAMD çel diplomat e dyfishta me institucione të BE-së

Më datë 29 shtator, Universiteti “Aleksandër Moisiu” pati kënaqësinë të organizonte aktivitetin e çeljes së projekteve të diplomave të dyfishta me institucione të arsimit të lartë të vendeve të BE-së.

Konkretisht:

  • Doktoratë në “Shkenca Edukimi” në partneritet me Universitetin Pedagogjik të Krakovës, Poloni;
  • Master Shkencor në “Administrim Publik” në partneritet me Universitetin Côte d’Azur, Nice, Francë;
  • Diplomë e dyfishtë Bachelor në “Bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik” në partneritet me Universitetin La Sapienza, Romë, Itali.

Projektet po zbatohen në kuadër të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe financohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Fjalën e hapjes e mbajti Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof.  Dr. Kseanela Sotirofski, e cila theksoi objektivat e ndërkombëtarizimit në institucion si dhe falenderoi partnerët e huaj dhe stafin akademik në UAMD-së për mbështetjen në realizimin e këtyre projekteve.

Më pas, Zv.ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Znj. Albana Tole diskutoi mbi planin e veprimit të strategjisë si edhe mbështjen që ofron MAS drejt ndërkombëtarizimit të insitucioneve të arsimit të lartë.

Të ftuar ishin edhe përfaqësues nga Universitetet partnere si Prof. Christian Vallar, ish-Dekan dhe Profesor i së Drejtës në Universitetin Côte d’Azur; Prof. Marco Cilento nga Departamenti i Komunikimit dhe Kërkimit Social në Universitetin La Sapienza; si edhe Dr. Kinga Orzeł-Dereń, përfaqësuese e Institutit të Arsimit parashkollor dhe fillor në Universitetin Pedagogjik të Krakovit. Ata diskutuan mbi rrugëtimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimet dhe bashkëpunimi në kuadër të ndërkombëtarizimit, si edhe në lidhje me hapat vijues të procesit të realizimit të këtyre diplomave të dyfishta.

Koordinatorët e projekteve Prof. Asoc. Dr. Gentiana Kraja, Përgjegjëse e Departamentit të Administrimit Publik si edhe Dr. Klodiana Leka, Dekane e Fakultetit te Edukimit diskutuan mbi përfitimet e këtyre projekteve për studentët si edhe sfidat drejt finalizimit të këtij procesi me rëndësi për institucionin.

This will close in 0 seconds

en_USEnglish