Takimi në Kuadër të Projektit Zero C : Drejt një Shoqërie me Zero Karbon

Më 5-6 Dhjetor 2024, në Universitetin e Teknologjisë në Hamburg u organizua një trajnim i rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve në kuadër të Projektit @Zero C, financuar nga Bashkimi Evropian, ku universiteti ynë ka rolin e liderit.
Ky aktivitet mblodhi së bashku staf akademik dhe ekspertë nga institucionet e arsimit të lartë të Ballkanit Perëndimor, me qëllim përmirësimin e njohurive dhe aftësive të tyre në përgatitjen e gjeneratave të ardhshme për një shoqëri me zero karbon në transportin dhe logjistikën detare.


Trajnimi përfshiu një sërë aktivitetesh dhe sesione interaktive, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të thellonin njohuritë e tyre në temat kryesore si:

  • Përmirësimi i efikasitetit energjetik dhe dekarbonizimi në operacionet portuale, duke u fokusuar në implementimin e teknologjive dhe praktikave më të mira që reduktojnë emetimet.
  • Simulimet e logjistikës detare me AnyLogic, një softuer modern që mundëson modelimin dhe analizën e sistemeve komplekse, duke ndihmuar në optimizimin e proceseve të transportit detar.
  • Strategji të avancuara për dekarbonizimin, përfshirë optimizimin e thirrjeve të portit dhe zbatimin e sistemeve të rezervimit të orarëve, që synojnë uljen e kohës së qëndrimit të anijeve dhe konsumit të energjisë.

Përveç sesioneve teknike:

trajnimet u shoqëruan me diskutime të hapura dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve, duke krijuar një platformë të vlefshme për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.


Ky trajnim shënon një moment të rëndësishëm për projektin @Zero C :

duke i dhënë shtysë zgjidhjeve të qëndrueshme dhe energjetikisht efikase për sektorin detar. Në të njëjtën kohë, ky aktivitet forcon rolin udhëheqës të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor për të drejtuar transformimin drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të dekarbonizuar.

This will close in 0 seconds

en_USEnglish