Ditën e sotme, Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi priti Sh.T. Z. Tayyar Kağan Atay, Ambasador i Turqisë në vendin tonë.
Gjatë takimit tejet miqësor e të përzemërt, Rektori Fortuzi i shprehu mirënjohjen e thellë ambasadorit Atay, jo vetëm për vizitën e tij, por edhe për bashkëpunimin e frytshëm që UAMD ka me 14 universitete të rëndësishme në Turqi dhe theksoi rëndësinë e thellimit të angazhimit të përbashkët në projekte kërkimore-shkencore, konferenca dhe botime, shkëmbime stafi akademik e studentor, si edhe krijimin e mundësive për praktika studentore dhe punësim të diplomuarve nga UAMD në kompanitë turke në Shqipëri.
Ambasadori Atay e siguroi Rektorin për forcimin e bashkëpunimit akademik midis UAMD dhe universiteteve turke, krijimin e lidhjeve me universitete të tjera në Turqi dhe angazhimin e Musaid Albania në panairin e punës të organizuar nga UAMD në mënyrë të përvitshme. Musaid është një organizatë ndërkombëtare me mbi 14,200 anëtarë, 63,000 biznese dhe mbi 2 milion të punësuar në mbarë botën me një impakt të fuqishëm në sferën e biznesit dhe bashkëpunimi për praktikat studentore me UAMD do i shërbente përgatitjes profesionale të studentëve dhe ekspertëve të ardhshëm.
![](https://uamd.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/FSP-4-2-819x1024.png)
![](https://uamd.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/FSP-3-2-819x1024.png)
![](https://uamd.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/FSP-2-2-819x1024.png)