SOC LAB – Projekti i financuar nga UAMD që lidh universitetin me komunitetin.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës vijon angazhimin e tij për zhvillim akademik dhe social përmes projektit SOC LAB, një iniciativë që synon krijimin e një modeli të ri bashkëpunimi ndërmjet universitetit, komunitetit dhe aktorëve lokalë, me fokus nismat me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror.
Më 31 Tetor, në ambientet e Fakultetit të Edukimit, Departamenti i Sociologjisë dhe Departamenti i Psikologjisë organizuan takimin e parë me aktorë të rëndësishëm të komunitetit, në kuadër të workshop-it “SOC LAB – Ndryshimi Social Fillon Këtu”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi i përvojave, identifikimi i sfidave sociale dhe ndërtimi i mundësive të reja për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet universitetit dhe institucioneve lokale.
Takimi u udhëhoq nga:

Prof. As. Dr. Juljana Laze, nën kujdesin e Dr. Enkelejda Cenaj, Dr. Julinda Cilingiri, Dr. Risvan Tërshalla dhe Dr. Mirjam Reci.
Në tryezën e përbashkët morën pjesë përfaqësues të institucioneve kyçe të shërbimeve sociale në Qarkun e Durrësit, të cilët sollën perspektiva të vlefshme mbi problematikat aktuale dhe praktikat më të mira në fushën e mbështetjes komunitare.
Temat kryesore të diskutimit përfshinë:
• Shkëmbimin e informacionit dhe definimin e roleve të aktorëve lokalë
• Modelet e bashkëpunimit ndërinstitucional
• Përfshirjen aktive të studentëve dhe stafit akademik në iniciativat komunitare
Qëllimet e përbashkëta të dakorduara:
• Krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe institucioneve lokale
• Rritja e angazhimit të studentëve dhe ekspertizës akademike në komunitet
• Përmirësimi i aksesit në shërbime sociale për grupet në nevojë
• Identifikimi i sfidave prioritare dhe hartimi i zgjidhjeve të përbashkëta
• Bashkërendimi i iniciativave për të garantuar impakt real në komunitet
Palët u dakordësuan që së shpejti të organizohet takimi i dytë, ku do të përcaktohen hapat konkretë dhe plan veprimi për zbatimin e iniciativave të ndërmarra në kuadër të projektit SOC LAB.

en_USEnglish