Njoftim për ndarjen e bursave për studentët nga Republika e Kosovës në programet bachelor për vitin akademik 2024-2025

Njoftim për ndarjen e bursave për studentët nga Republika e Kosovës në programet bachelor në universitetet publike në Shqipëri për vitin akademik 2024-2025

Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke u bazuar në Ligjin nr. 23/2024 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, shpall kriteret për ndarjen e bursave për studentët nga Republika e Kosovës në universitetet publike për vitin akademik 2024-2025.

Kushtet dhe kriteret

Studentët e nivelit Bachelor që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në Shqipëri dhe janë shtetas të Republikës së Kosovës kanë të drejtë për bursë, nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:

Kriteret e aplikimit për vitin e parë Bachelor:

  1. Shtetësi e Republikës së Kosovës.
  2. Regjistrim për herë të parë në një program Bachelor në një IAL publike në Shqipëri për vitin akademik 2024-2025.
  3. Nota mesatare e arsimit të mesëm të paktën 7, sipas Vendimit nr. 363, datë 26.5.2022 (për programet e studimit në artet dhe sportet, ky kriter nuk aplikohet).

Në rastet kur nuk plotësohen kuotat për studentët e vitit të parë, bursat do të akordohen për studentët e viteve të tjera.

Kriteret e aplikimit për vitet e ndërmjetme:

  1. Përfundimi i vitit të parë ose të dytë të nivelit Bachelor.
  2. Të mos kenë përsëritur vitin e studimeve.
  3. Kalimi i të gjitha provimeve të vitit të kaluar në kohën e përcaktuar nga programi i studimit.
  4. Nota mesatare për vitin e parë ose të dytë të jetë së paku 7, sipas Vendimit nr. 363, datë 26.5.2022.

Procedura e aplikimit

Shpallja do t’u dërgohet institucioneve publike të arsimit të lartë (IAL) dhe do të publikohet brenda 3 ditëve nga marrja e njoftimit nga Ministria. Afati i publikimit në faqen e internetit të IAL-ve do të jetë 2 javë. Studentët aplikojnë me dokumentacionin e kërkuar pranë institucionit përkatës, sipas kritereve të shpallura.

Pas përfundimit të afatit, lista e studentëve përfitues do t’i përcillet MAS brenda një jave.

Informacione shtesë:

  • Studentët nuk mund të përfitojnë bursë nga më shumë se një skemë bursash nga Ministria në të njëjtin vit akademik.
  • Lista e studentëve përfitues do të publikohet në faqen zyrtare të MAS.
  • Shuma e bursës do të jetë 1000 euro për vit akademik për çdo përfitues.
  • Mosfrekuentimi i rregullt, sipas rregullores së IAL-së përkatëse, do të jetë arsye për ndërprerjen e bursës.

This will close in 0 seconds

en_USEnglish