Konferencë në Fakultetin e Edukimit: “Gjyshërit, gjyshet dhe paradigmën e tyre edukuese”

Më 22 maj 2025, Salla e Konferencave në Fakultetin e Edukimit, mblodhi studiues e përkthyes, studentë e nxënës të Ciklit Fillor të qytetit të Durrësit, në një konferencë ku u fol e u diskutua për “Gjyshërit, gjyshet dhe paradigmën e tyre edukuese”.
Boshti i kësaj konference u frymëzua nga romanet për fëmijë “Gjyshi im ishte një pemë qershie”, sjellë, mjeshtërisht, në gjuhën shqipe nga Lejbjana Hyseni Braho dhe “Gjyshja në degën e mollës”, përshtatur cilësisht nga Sofjana Filipi.
Të dy librat kanë emërues të përbashkët tema të tilla si: vdekja, humbja, vetmia, trishtimi, zëvendësimi i njerëzve të dashur parë nga këndvështimi i fëmijëve.

Konferenca u hap nga Dr. Matilda Likaj, e cila prezantoi një qasje sociologjike të traumave sociale në shoqërinë shqiptare (vdekja, divorci, neurodivergjenca etj), për të rinjtë që do të jenë aktiv në tregun e punës.

Dr. Julinda Cilingiri, u ndal te aftësia e fëmijëve për të perceptuar ikjen e gjyshërve nga jeta. Për mësueset e ardhshme, por edhe për mësueset e pranishme në aktivitet, ajo solli këshilla dhe sugjerime sesi mund t’i kuptojmë dhe t’i ndihmojmë fëmijët të përballen me vdekjen dhe frikën nga humbja e jetës.

Dr. Anila Bratja, referoi studimin e saj mbi “Përballimin e humbjes dhe edukimin emocional”, referim të bazuar mbi metodë sasiore.

Dr. Enida Godime, u ndal në rolin e letërsisë për fëmijë për të edukuar në përballimin e humbjes, zhgënjimit dhe largimit të njerëzve tanë të dashur.
Msc Xhensila Lluka, trajtoi rolin e vlerësimit diagnostifikues në evidentimin e rasteve të ankthit duke sugjeruar praktika dhe instrumente ndihmëse.
Aktivitetin e nderoi me praninë e saj, përkthyesja Lejbjana Hyseni Braho, e cila iu përgjigj pyetjeve të studenteve dhe lexuesve të vegjël. Ajo u përpoq t’i shpjegonte mekanizmat e procesit të përkthimit duke i mëshuar dashurisë që duhet të kemi për gjuhën shqipe.

Studentet sollën qasjet e tyre letrare e artistike, kulturore e ndërkulturore, sociologjike, psikologjike, didaktike e pedagogjike, duke treguar maturi të mendimit shkencor, përgatitje akademike dhe thukësi profesionale.

Studentet e Bachelor në Mësuesi për Parashkollor, viti i parë, Bachelor në Mësuesi për Arsim Fillor, viti i parë dhe i tretë dhe Master i Shkencave, Mësues në gjuhën shqipe dhe letërsi, viti i parë, u paraqitën me punime shkencore, ilustrim, vizatim e pikturë, interpretim e dramatizim duke shpërfaqur kështu të gjitha shqisat që u mpreh letërsia për fëmijë.
Qershia mbi tortë ishin nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, “Marie Kaçulini”, “Qemal Mici”, “Bajram Curri”, “Hamza Muça”, të cilët, sëbashku me mësueset e tyre, trajtuan tema të cilat nuk janë përfshirë në kurrikulën parauniversitare.
U fol për shumë tema, por mbi të gjitha, u fol për pushtetin që ka letërsia te të gjitha brezat dhe nivelet.
Konferenca u ideua dhe u organizua nga lektorja e “Letërsisë për fëmijë”, Dr. Alma Dema dhe u moderua nga studentet Eliona Hoti, Xhuljana Voci dhe Olsida Kondi!
Pjesëmarrësve, ju shpërndanë certifikata vlerësimi!

en_USEnglish