KONFERENCA E V-TE E DEPARTAMENTIT TE MARKETINGUT ISCOIM 2025 – FAKULTETI I BIZNESIT UAMD

Në datat 11-12 Prill u zhvillua Konferenca e pestë shkencore e Departamentit të Marketingut, Fakulteti i Biznesit, UAMD, me temë: ” Sfidat dhe mundësitë e Marketingut në Epokën e Inteligjencës Artificiale ” ku morën pjesë mbi 100 studiues të kësaj fushe.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të rëndësishme të institucionit, përfshirë Rektorin e Universitetit “AleksandërMoisiu”, Durrës, Prof.Dr. Shkëlqim Fortuzi, Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, Prof.Dr. Agron Bajraktari, Zëvendës Rektori i Kërkimit Shkencor, Universiteti “Aleksandër Moisiu “, Durrës Prof.Dr. AzetaTartaraj, Dekani i Fakultetit të Biznesit Prof.As.Dr Llambi Prendi, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të fushës akademike.

Qëllimi i kësaj konference ishte ofrimi i një platforme ndërdisiplinore për eksplorimin e ndikimit që ka Inteligjenca Artificiale në fushën e marketingut, si dhe nxitja e dialogut ndërmjet akademikëve, profesionistëve të industrisë, studentëve dhe vendimmarrësve. Konferenca pati në fokus nxitjen e shkëmbimit të njohurive, praktikave më të mira dhe ideve inovative mbi mënyrat se si AI po riformëson strategjitë dhe proceset e marketingut në nivel lokal dhe global.

Objektivat e Konferencës ishin:
– Analiza e ndikimin të AI në strategjitë e marketingut, përfshirë segmentimin e tregut, personalizimin, përvojën e konsumatorit dhe automatizimin e fushatave.
– Eksplorimi i risive teknologjike, si ChatGPT, gjenerimi i përmbajtjes me AI, analiza e të dhënave të mëdha (big data), dhe përdorimi i algoritmeve të tilla në Marketing.
– Diskutimi i sfidave etike dhe shoqërore që lidhen me përdorimin e AI në komunikimin me konsumatorët, përfshirë çështje të privatësisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë si dhe promovimi i bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë, për të ndërtuar ura mes teorisë dhe praktikës në këtë fushë dinamike.
Në këtë edicion, në Partneritet me Universitete të vendit, rajonit dhe më gjerë, kishte pjesëmarrje të mbi 100 Studiuesve nga 10 shtete dhe nga më shumë se 20 universitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët u bënë pjesë e kësaj Konference 2 ditore në sesione offline dhe online.

en_USEnglish