“American Dream” në Universitetin e Durrësit: Historia e jashtëzakonshme e Beqir Potkës

Java e kaluar solli një ngjarje të veçantë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Durrësit, ku u përurua vepra “American Dream – Historia e jashtëzakonshme e Beqir Potkës, nga ferri komunist drejt tokës së premtuar”, me autor Eris Rusi. Një rrëfim i fuqishëm që sjell në vëmendje historinë frymëzuese të një djaloshi që sfidoi sistemin komunist dhe gjeti lirinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

🌟 Një moment i veçantë në këtë aktivitet ishte prania e vetë personazhit të librit, Beqir Potka, i cili kishte ardhur enkas nga SHBA për të ndarë rrëfimin e jetës së tij me të pranishmit. Ai tregoi me emocione përpjekjet, guximin dhe përvojat që e shoqëruan në rrugën drejt lirisë dhe realizimit të ëndrrës amerikane.

🗣️ Ngjarja u pasurua edhe nga kontributi i përkthyeses së veprës në gjuhën angleze, prof. asoc. Eriola Bonja Qafzezi, e shoqëruar nga kolegia prof. asoc. Dorela Kacauni, të cilat ndanë sfidat dhe përgjegjësinë e përkthimit të kësaj vepre me peshë historike.

👥 Në aktivitet morën pjesë figura të njohura akademike si:

  • Prof. asoc. Suela Kastrati (zv.rektore),
  • Prof. asoc. Edlira Abdurahmani (përgjegjëse e departamentit),
  • Dr. Drita Isufaj (Departamenti i Letërsisë),
  • Dr. Florinda Boriçi dhe Dr. Elira Xhakollari (Departamenti i Gjuhës Angleze).

Të pranishëm ishin edhe studentët tanë, të cilëve u shprehim falënderime të përzemërta për interesimin dhe pjesëmarrjen aktive.

🎙️ Aktiviteti u moderua nga prof. asoc. Manjola Zaçellari, ndërsa kulmi i ngjarjes ishte dorëzimi i një certifikate vlerësimi nga Universiteti i Durrësit për Beqir Potkën, përmes zv.rektores Suela Kastrati. Në certifikatë u theksua:

“Për kontributin historik, si pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë që përmbushi amanetin e Faik Konicës për t’u prehur përgjithmonë në atdhe dhe për ruajtjen e vlerave kulturore të vendit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”


📝 Ky aktivitet na kujton rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe frymëzimin që vjen nga individë që nuk u dorëzuan para vështirësive, por krijuan një rrugë të re për veten dhe komunitetin e tyre.

en_USEnglish