Manifesti Studentor

Studenti i UAMD-së

Studenti i UAMD-së është lider

Studenti i UAMD-së e di që janë udhëheqësit që drejtojnë shoqëritë. Dhe e di shumë mirë që kompanive, organizatave të shoqërisë civile, klubeve sportive, universiteteve, jetës sociale dhe politike, shkurt, së ardhmes, i japin udhë udhëheqësit. 

Ai e di që fillesa, formësimi dhe zhvillimi i udhëheqësisë fillon, bash, me jetën studentore. Ndaj gjithmonë përpiqet të zbulojë veten, teksa synon të bëhet udhëheqës në jetën studentore. Organizimeve dhe jetës sociale brenda universitetit, studenti u vë shpatullat. Kjo të bën lider.

Studenti i UAMD-së punon pa reshtur për të zhvilluar cilësitë e tij të udhëheqësisë, të cilat nuk i ka të mbrujtura në kodin e tij gjenetik, por i arrin me punë. Studenti i UAMD-së, e di që një udhëheqës i mirë duhet të jetë një orator i mirë. Ndaj, çdo ditë e më shumë, ai e zhvillon veten në këtë drejtim.

Studenti i UAMD-së punon në ekip

Studenti i UAMD-së rend drejt suksesit, jo si individ, por si pjesë e një ekipi. Duke lënë egon mënjanë, ai përthith forcën e të qenit bashkë.   Ai e di gjithashtu se çdokush që lëviz me frymën e ekipit duhet të ketë si synim rezultate të prekshme dhe punon për t’i arritur ato. Studenti i UAMD-së e di shumë mirë se për t’i shërbyer Shqipërisë dhe për ta bërë atë një vend sa më të mirë, duhet të punojë me frymë grupi.

Studenti i UAMD-së është konkurues

Për të zhvilluar veten në çdo fushë ai konkuron denjësisht me më të mirët. Ai beson se konkurenca vepron pa mëshirë në nivel vendor dhe kombëtar. Ai e ka të qartë se për të qenë konkurent i denjë i duhet të besojë në shkencë, të qëmtojë, të kërkojë, të punojë shumë dhe të mos lodhet kurrë. Qëllimi i studentit të UAMD-së është të jetë në gjendje të kapërcejë kufijtë dhe të jetë i barabartë në dije e mendësi me bashkëmoshatarët e tij përëndimorë.

Studenti i UAMD-së është racional dhe mendon në mënyrë strategjike

Studenti i UAMD-së përdor mendjen, kur përballet më vështirësitë. Nuk mjaftohet vetëm duke parë një hap përpara. Situatën e vlerëson duke analizuar të dhënat nga disa kënde; mban parasysh vlerësimet afatmesme dhe afatgjata, bën plane dhe merr vendime.

Studenti i UAMD-së e vlerëson dijen

“Ne duhet të dimë; ne do të dimë”. David Hilbert

Studenti i UAMD-së e di që nuk mund të konkurosh në botën e sotme pa kaluar më parë nga udha shkencore. Fuqia e tij është te vetëdija se nuk mjafton të paturit e njohurive shkencore, por duhen prodhuar risi.  Studenti i UAMD-së, qëmton para se të marrë një vendim. Ai e di shumë mirë si ta grumbullojë dhe interpretojë informacionin. Ai e di që UAMD-ja jep dije, por dhe edukon. Klubet e leximit, ato sportive dhe të shkencave kompjuterike presin krahëhapur studentë të rinj.

Studenti i UAMD-së i qëndron besnik vlerave universale

Ai përqafon vlerat morale të gjeografisë ku jeton. Ai e di gjithashtu, që në vende të tjera ka norma të tjera, por ai njeh vlerat etike të pranuara gjerësisht dhe kujdeset të jetojë sipas tyre.

Studenti i UAMD-së është punëtor

Studenti i UAMD-së e di që pa prodhim nuk ka konsum, pa punë nuk ka fitim. Prandaj ka një disiplinë të admirueshme në punë. Nuk e vret kohën, por punon me plan dhe vazhdimësi për të arritur qëllimet e tij në jetë.

Studenti i UAMD-së është sportdashës

Ndryshe nga kultura e krijuar, e cila e sheh sportin si mjet argëtimi, studenti i UAMD-së është i vetëdijshëm se “sporti nuk është thjesht një lojë”. Ai e di se sporti është çelësi më i rëndësishëm i një jete të gjatë, të shëndetshme dhe të frytshme.

Di gjithashtu se sportet iu mundësojnë njerëzve të jenë socialë, të komunikueshëm, të angazhuar, nismëtarë, krijues, të marrin rreziqe përsipër, duke sfiduar vështirësitë, të jenë të guximshëm dhe t’i përshtaten ambientit.

Të jesh në UAMD është kulturë

Studenti i UAMD-së është i vetëdijshëm për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe është i lumtur të studiojë e jetojë përkrah këtyre vlerave. Studenti i UAMD-së është modern dhe këtë e rrezaton edhe në shoqëri. Ai gëzon kënaqësinë e të zbuluarit të vetes, nga pak, çdo ditë.

Studenti i UAMD-së ndjehet përgjegjës për shoqërinë

Studenti i UAMD-së nuk sheh vetëm pragun e derës së tij. Iu shmanget gjërave që mund të dëmtojnë mjedisin dhe parandalon ata që duan ta bëjnë këtë.

en_USEnglish