Ceremoni hapëse e Kongresit Ndërkombëtar mbi “Quantum and Biomedical Application Technologies and Sensors”

Sot nisi Kongresi Ndërkombëtar IEE 2024 mbi ‘Quantum and Biomedical Application Technologies and Sensors’ në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës!

Ceremonia e këtij Kongresi u hap nga Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, i ndjekur nga fjalimet përshëndetëse të Prof. Ing. Antonino Fiorillo nga Universiteti i Catanzaros, Z. Tom Darden, themeluesi dhe CEO i Cherokee, dhe Prof. Vincenzo Vespri nga Universiteti i Firenzes.

Ky aktivitet dy-ditor sjell së bashku akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar teknologjitë dhe sensorët që mund të revolucionarizojnë fushat e shkencave kuantike dhe mjekësore.

🧬🔬 Një forum i jashtëzakonshëm për inovacionet që do të formësojnë të ardhmen!

Më poshtë gjeni fjalimin përshëndetës të Rektorit:

Kam kënaqësinë ta filloj këtë ceremoni hapëse të Kongresit Ndërkombëtar mbi “Quantum and Biomedical Application Technologies and Sensors” dhe t’ju mirëpres në emër të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ky është një moment historik për ne dhe komunitetin tonë akademik, pasi zhvillojmë këtë ngjarje për herë të parë në Shqipëri, duke bashkuar mendje të ndritura nga e gjithë bota.

Jam i lumtur që po punojmë së bashku me Universitetin e Catanzaro në Itali për të sjellë këtu ekspertë dhe profesionistë nga e gjithë bota, të cilët do të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre në fushat inovative të teknologjive kuantike dhe aplikacioneve biomjekësore.

Shkenca dhe teknologjia po përjetojnë një epokë të re zhvillimi, dhe kontributi ynë në këtë fushë është thelbësor për të ardhmen e shoqërisë sonë. Të gjithë ne jemi këtu për të eksploruar mundësitë e reja, për të ndarë ide dhe për të krijuar partneritete që do të ndikojnë në përparimin e kërkimeve dhe inovacioneve.

Universiteti ynë ka një angazhim të fortë për avancimin e kërkimeve në këto fusha, sidomos përmes Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Fakultetit të Studimeve Profesionale. Këta fakultete luajnë një rol kyç në përgatitjen dhe formimin e specialistëve të kualifikuar, të cilët do të kontribuojnë në avancimin e kërkimeve dhe inovacioneve në teknologjinë e informacionit dhe në aplikimet biomjekësore.

Dëshiroj të falenderoj të gjithë organizatorët dhe kontribuesit që e bënë të mundur këtë ngjarje. Shpresoj se ky kongres do të ofrojë mundësi për të ndarë ide, për të krijuar lidhje dhe për të frymëzuar projekte të reja që do të kenë një ndikim të rëndësishëm në fushat tona.

Ju uroj një kongres të suksesshëm dhe frytshëm!

Faleminderit!

 

en_USEnglish