Workshop mbi Funksionimin e IAL-ve dhe Procedurat Administrative të Njësive Bazë dhe Kryesore

Përshkrimi i aktivitetit:

Më 25 shtator 2024, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), organizoi një workshop informues në ambientet e tij në Sallën e Konferencave 310 Currila. Aktiviteti u organizua nga Qendra për Kërkim Zhvillim dhe Ekselencë në bashkëpunim me Drejtorinë e Kurrikulës dhe Standardeve të Cilësisë, Drejtorinë e Administrimit dhe të Shërbimeve Akademike, Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe Juridike, si dhe Drejtorinë e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë. Ky event synonte të përforconte bashkëpunimin dhe të optimizonte proceset administrative dhe funksionimin e njësive akademike të universitetit.

Workshop-i u zhvillua me temën qendrore “Funksionimi i IAL-ve dhe Procedurat Administrative të Njësive Bazë dhe Njësive Kryesore”, ku drejtuesit dhe pjesëmarrësit diskutuan për mënyrën sesi mund të përmirësohen procedurat administrative dhe proceset e bashkëpunimit ndërmjet njësive të ndryshme akademike dhe administrative të universitetit.

Temat e diskutuara gjatë workshop-it:

1. Fjala përshëndetëse e Rektorit Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi

Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, hapi workshop-in duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet njësive bazë dhe njësive kryesore, si një mënyrë për të garantuar efikasitetin në proceset akademike dhe administrative të universitetit. Ai nënvizoi se ky workshop ishte një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi përmirësimin e proçeseve ekzistuese dhe për të ndarë eksperiencat më të mira.

2. Qendra për Kërkim Zhvillim dhe Ekselencë (QKZHE)

Prezantimi i kësaj qendre përfshinte njohjen e pjesëmarrësve me format dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor. QKZHE gjithashtu prezantoi procesin e publikimit të punimeve shkencore dhe aktiviteteve në revistën ndërkombëtare IJRD (International Journal of Research and Development), duke nxitur stafin akademik të angazhohet më shumë në kërkim shkencor dhe publikime ndërkombëtare.

3. Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve të Cilësisë

Gjatë këtij sesioni u diskutuan proçedurat administrative të njësive akademike, përfshirë përditësimin e stafit drejtues me bazën ligjore dhe aktet nënligjore që rregullojnë funksionimin e këtyre njësive. Po ashtu, u ndanë eksperiencat pozitive dhe praktikat më të mira në funksionet e ndryshme të drejtimit dhe administrimit të njësive bazë dhe kryesore. Ky sesion përfshiu edhe çështjet lidhur me riorganizimin dhe akreditimin e programeve të studimit.

4. Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Juridik

Kjo drejtori ofroi një prezantim mbi proçeset e rekrutimit dhe mënyrën e administrimit të dokumentacionit të personelit. Diskutimi përfshiu edhe çështjet e menaxhimit të dosjeve të personelit dhe përmirësimin e procedurave të brendshme për të siguruar një shërbim më efikas për stafin akademik dhe administrativ.

5. Drejtoria e Administrimit dhe Shërbimeve Akademike

Kjo drejtori prezantoi funksionet dhe përgjegjësitë e saj, duke theksuar rolin që luan në mbështetjen e njësive akademike dhe administrimin e shërbimeve për studentët dhe stafin. Diskutimi u fokusua në krijimin e një rrjeti të fortë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe identifikimin e mundësive për përmirësim të mëtejshëm në ofrimin e shërbimeve akademike dhe administrative.

6. Drejtoria e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë

Gjatë kësaj pjesë të workshop-it, u prezantuan objektivat strategjikë për ndërkombëtarizimin e universitetit dhe procedurat e aplikimit për projekte ndërkombëtare. U diskutua rëndësia e angazhimit të universitetit në projekte ndërkombëtare për të forcuar pozicionin e tij në rajon dhe për të krijuar mundësi të reja për stafin dhe studentët.

7. Diskutime dhe reflektime

Në fund të aktivitetit, u zhvillua një sesion diskutimi ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre dhe propozuan ide për përmirësimin e mëtejshëm të procesit administrativ dhe akademik në universitet. Ky sesion kishte si synim të mbledhë sugjerime praktike dhe të nxisë bashkëpunimin më të gjerë ndërmjet njësive.

Ky workshop përfundoi me një frymë optimizmi dhe një angazhim të përbashkët për të përmirësuar mënyrën se si funksionojnë njësitë brenda universitetit, duke u fokusuar në rritjen e efektivitetit dhe integrimit të strukturave të ndryshme administrative dhe akademike

en_USEnglish