Bashkëpunim i ri akademik mes UAMD dhe Universitetit të Primorska në fushën e Heritage Tourism

Takim në Fakultetin e Turizmit të Universitetit të Primorska – Fokus te Heritage Tourism dhe bashkëpunimi i zgjeruar akademik

Gjatë vizitës zyrtare në Universitetin e Primorska, delegacioni i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, zhvilloi një tjetër takim të frytshëm me drejtuesit e Fakultetit të Turizmit, Dekanin Prof. Emil Juvan, dhe Zv. Dekanen Tadeja Jakulin.

Diskutimet u përqendruan në mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe në vecanti në heritage tourism, një sektor me potencial të madh zhvillimi, veçanërisht për Shqipërinë dhe qytetin e Durrësit. Rektori Fortuzi theksoi rëndësinë strategjike që turizmi ka për ekonominë shqiptare, si dhe rolin e Durrësit si një nga destinacionet më të rëndësishme historike dhe kulturore në vend. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Fakultetin e Turizmit të Primorska-s do të sjellë ekspertizë të vlefshme për avancimin e programeve tona akademike.

Pala pritëse shprehu gatishmëri të plotë për të zhvilluar programe të përbashkëta studimi, iniciativat në Heritage Tourism, shkëmbime akademike në kuadër të Erasmus+, si dhe për të nxitur mobilitetin e stafit dhe studentëve. Po ashtu, u diskutua edhe mbi mundësinë e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe botimeve në fusha të specializuara të turizmit.

Të dyja palët ndanë bindjen se ky bashkëpunim do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e ekspertizës, inovacionit dhe standardeve ndërkombëtare në edukimin për turizmin, duke hapur rrugë për iniciativa të reja në të ardhmen.

sqAlbanian